Një pjesë e mirë e zonave të përmbytura në fushën e Nën Shkodrës janë edhe si pasojë e derdhjeve në Kaskadën e Drinit.

E për këtë, Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, që menaxhon këtë Kaskadë ka vendosur në ndihmë të banorëve një shumë prej 8 milionë lekësh.

Zv.kryeministrja Senida Mesi, zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi dhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi panë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës.

“Krahas shtimit të forcave në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve janë siguruar edhe 8 milionë lek nga KESH, shumë që do të shkojë për ndihma për banorët”, deklaroi zv.Kryeministrja.

Ministri i Bujqësisë kërkoi që të mos spekulohet me shpalljen, ose jo të gjendjes së emergjencës.

“Qeveria është vigjilente për nevojat e banorëve dhe baza ushqimore për kafshët është siguruar dhe do të shtohet deri sa të plotësohen nevojat në bashkëpunim me biznesin dhe donacionet nga KESH”, thotë ai.

Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi në një lidhje direkte për Top Channel kërkoi të shpallet menjëherë gjendja e pjesshme e emergjencës për përmbytjet. Ajo thotë se numri i familjeve në nevojë sa vjen dhe rritet.

“Jemi në një situate emergjence kritike për NënShkodrën, dhe sot harta e përmbytjes paraqet një rritje të sipërfaqeve, tokave dhe shtëpive nën ujë,të rrethuara nga uji dhe kemi probleme të mëdha në rritjen e nevojave që shtohen në emergjencë, jo vetëm për familjet, ujin e pijshëm po më shumë për gjënë e gjallë. Nuk e di ca duhet të ndodhë më tepër që të kemi situatë të shpalljes së emergjencës dhe mobilizim të të gjithë strukturave qeveritare. Nuk mjafton të thuhet të shtohet furnizimi”, tha Ademi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA