Gjykata e Lezhës tregoi argumentat se përse e liroi kryetarin e Bashkisë Fran Frrokaj, nënkryetarin Enver Hafizi dhe kryetarin e Këshillit të Qarkut, Gjok Ndoka, ndaj të cilëve caktoi arrest shtëpiak nën mbikëqyrjen e policisë.
Duke përmendur arsimin e lartë si kriter lehtësues, profesionin, personalitetin dhe kartelën e bardhë gjyqësore, gjyqtari Artan Hajredinaj çmon se asnjëri prej tyre nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, si edhe rrezik arratisjeje.
Sipas gjykatës, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj nuk ka rrezik t’u shmanget hetimeve, apo të ndikojë në provat e dosjes.
“Ai rezulton të jetë një qytetar me personalitet të mirë, banues në Lezhë, me adresë banimi të saktë, me arsim të lartë dhe funksionar i lartë në bashki. Rezulton, se në momentin e arrestimit ai është vënë në dijeni të masës, është treguar bashkëpunues dhe nuk ka shfaqur kundërshtime”, thuhet në argumentimin e gjykatës.
Pas këtij vendimi kryebashkiaku kërkoi që të qëndronte në shtëpinë e prindërve të tij në ish-komunen Shënkoll.
Se bashku më të, nën arrest shtëpie janë vlerësuar masat edhe për të hetuarit e tjerë të skandalit të tokave, sikurse përgjegjësja e Kadastrës, specialistë të Këshillit të Qarkut dhe dy përfitues toke tek “Rana e hedhur”.
Në burg kanë mbetur vetëm dy punonjës të thjeshtë e përkatësisht juristi i bashkisë, Ardenis Haxhia dhe hartografi i zyrës së pronave, Enkelejd Zefi për të cilët gjykata vlerëson se ekzistojnë shkaqe që vënë në rrezik marrjen e provave dhe se të dy të dyshuarit mund të largohen për t’ju shmangur hetimit.
Aktualisht 11 persona janë në kërkim për tjetërsimin e “Ranës së Hedhur”, e cila përmes falsifikimit është regjistruar si tokë bujqësore dhe pemëtore.
Top Channel