Kur duhen më pak se 3 muaj nga nisja e Botërorit të futbollit, këtë verë në Rusi, FIFA ka paralajmëruar organizatorët për ritmin e ulët të punimeve, që rrezikon të mos kualifikojë një nga stadiumet e fazës finale.
Turneu që mbledh kombëtaret më të mira të globit merr jetë më 14 qershor, por impianti në Samara, me një kapacitet prej 45 mijë vendesh, ende nuk ka shtruar tapetin e blertë.
Autoritetet janë vendosur edhe më shumë nën presion nga një delegacion i FIFA-s, që evidentoi vonesa dhe probleme, gjithsesi të rikuperueshme, për stadiumin që do të presë ndeshjen e parë të tij në grupin A, mes Kosta Rikës dhe Serbisë.
“Samara Arena” është një nga 12 stadiumet e finaleve, por moti i keq dhe reshjet e mëdha të borës e kanë vështirësuar punën për kompletimin e tij.
Stadiumi në Samara do të presë në total 4 ndeshje të fazës së grupeve, duke përfshirë dhe impenjimin e skuadrës organizatore ndaj Uruguajit, një ndeshje të 1/16-ave dhe një çerekfinale.
Rusia do të presë Botërorin e kësaj vere në 12 impiante, në 11 qytete të ndryshme, me kulmin e ceremonisë së hapjes në Moskë dhe me finalen e madhe po në kryeqytet.
Top Channel