BE, mesazh pozitiv Kosovës; Mogherini: Perspektive europiane për Prishtinën

21/03/2018 09:14

Mesazhin optimist që nisi me Shqipërinë, Federica Mogherini e vazhdoi edhe me Kosovën. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme e Siguri, deklaroi se Kosova është pjesë e strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe çdo gjë e parashikuar për të tjerët është e mundur edhe për Prishtinën.

Por ashtu si dhe në rastin e tyre, plotësimi i kushteve mbetet një domosdoshmëri, e në rastin e Kosovës, theksoi vendoset tek dialogu me Beogradin.

“Strategjia thotë se te gjithë partnerët kanë perspektivë europiane. Ky është mesazhi i qartë. Mesazhin e transmetoj sidomos për të rinjtë, sepse e di se çfarë do të thotë kjo perspektivë për ta.

Megjithatë, Kosova duhet të punojë për disa gjëra para se të ketë perspektive europiane”, citohet të ketë thënë Mogherini. Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, kryediplomatja europiane vëren një interesim të liderëve për këtë çështje, për të cilin siç thotë, duhet guxim.

Nga Kosova kërkohet implementimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe marrëveshje të tjera siç është ajo e Gjykatës Speciale. “Dyert janë të hapura, ne duam që ju të hyni, ejani të punojmë bashkë në realizimin e këtij qëllimi”, është shprehur Mogherini.

Top Channel