Viti 2018 po i jep Gennaro Gattusos emocione, në skuadrën ku ai njohu shkëlqimin më të madh si futbollist.
Në pankinën e Milanit, ai ka marrë përsipër të ringrejë renditjen dhe imazhin e kuqezinjve, e statistikat po i japin vërtet të drejtë. Pavarësishst sesi do të mbyllet sezoni aktual, rinovimi i trajnerit duket i pashmangshëm.
Në muajin tetor, askush nuk e mendonte kualifikimin në Champions League, por Milani ka nisur të tregohet cinik edhe në marrjen e rezultateve, ashtu siç treguan edhe dy sfidat e fundit, që sollën 6 pikë në Serie A. Skuadra kuqezi mori fitore “të pista”, që ndoshta me trajnerë të tjerë këtë sezon do të kishin përfunduar në “librin e zi të pendesave”.
Që nga muaji janar e deri në javën e 29, që u luajt së fundmi, Milani ka grumbulluar 25 pikë, po aq sa Napoli, e vetëm 3 është distanca me Juventusin kryesues. Ka nga ata tifozë, që mendojnë se ku mund të ishin kuqezinjtë, nëse Gattuso do të emërohej trajner që në muajin gusht. Me këtë mesatare, Milani mund të garonte për titullin e jo vetëm për Championsin.
Skuadra e Gattusos, së bashku me Juven, Barcelonën, Dortmundin, Tottenhamin e Monacon, janë të vetmet që nuk kanë njohur humbjen në vitin 2018. Pavarësisht dy golave që pësoi nga Chievo, Milani ka mbrojtjen e dytë më të mirë në Serie A.
Tashmë në horizont është një kalendar i ndarë në dy fronte: fillimisht me Juven, Interin dhe Napolin, e më pas me 4 skuadra të kalueshme, si Torino, Benevento, Bologna e Verona. Finalja e Kupës së Italisë do të jetë një betejë e madhe që vlen një trofe, e më pas kuqezinjtë do të shohin se ku janë me premtimet për tifozët, kur ta mbyllin me Atalantën e Fiorentinën.
Top Channel