Manjati rusogrek dhe president i ekipit të futbollit të PAOK-ut të Selanikut, Ivan Savidis, i cili shkaktoi reagime të shumta brenda dhe jashtë Greqisë me hyrjen e tij në fushë duke pasur një pistoletë në brez, i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të ndërmjetësojë me homologun e tij turk, Erdogan, për të liruar dy ushtarakët grekë të arrestuar ditë më parë në brendësi të kufirit turk në lumin Evro.

Pasi e ka uruar presidentin rus për fitoren e tij të bujshme në zgjedhjet e së dielës, Savidis i kërkon Putinit të japë ndihmën e tij të vyer për këtë incident.

“Duke e ditur qëndrimin tuaj përballë situatave të tilla, që çojnë në tensione dhe presione politike, sinqerisht kërkoj ndihmën tuaj personale në zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme për të gjithë grekët”, shkruan mes të tjerash ai.

Savidis, i cili akuzohet për hyrjen me forcë në një ambient sportiv me pasojë ndërprerjen e ndeshjes, si dhe për shkelje të rregullave të sigurisë të përfshira në legjislacionin sportiv, kritikohet nga opozita konservatore se gëzon mbështetjen e qeverisë “Tsipras”.

Por, ndërsa pret dënimin për ekipin e tij, disa ditë më parë ai ka shitur 3 kompani të tij të duhanit në Greqinë veriore te gjiganti japonez “Japan Tobacco” për 1.6 miliardë dollarë dhe ka deklaruar se fitimet do t’i investojë përsëri në Greqi.

Lajmi për ndërmjetësimin e tij pranë presidentit Putin komentohet pozitivisht nga shumica e medieve greke, pasi ka shqetësim të madh për fatin e dy ushtarakëve grekë, për të cilët ka biseduar në telefon me presidentin turk Erdogan edhe Kancelarja gjermane Merkel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA