Kuvendi i Kosovës u mblodh këtë të martë në një seancë të jashtëzakonshme, në tentativën e katërt për të ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Por deri në orët e vona të mbrëmjes, marrëveshja nuk është votuar, ndërsa debati vijon prej mbi 7 orësh.

Top Channel mëson se Demarkacioni do të votohet të mërkurën në orën 10:00, pasi një deputet i LDK-së, Ramiz Kelmendi nga Peja, nuk ndodhet i pranishëm në punimet e seancës, ndaj dhe vazhdimi i saj do të caktohet për ditën e nesërme.

Kelmendi deklaroi më herët se ishte kërcënuar për të mos e votuar marrëveshjen e caktimit të kufirit me fqinjin malazez, por teksa dilte nga spitali u shpreh se kishte bërë dializën.

Edhe pse mbetet të shihet ditën e mërkurë nëse do të sigurohen apo jo 80 votat e nevojshme për ratifikimin, Top Channel mëson gjithashtu se është siguruar vota e një deputeti serb.

Top Channel