Debutuesit Lika dhe Prenga: Ëndërr që të luajmë me kombëtaren

20/03/2018 15:33

Ka filluar ditën e hënë grumbullimi edhe i përfaqësueses A të Shqipërisë dhe në konferencën e parë për shtyp janë paraqitur dy emrat e rinj të listës, Herdi Prenga dhe Bujar Lika, që Panucci ka përzgjedhur për ndeshjen miqësore përballë Norvegjisë.

Herdi Prenga mbrojtësi i Inter Zapresic në Kroaci shprehet i kënaqur për zgjedhjen e bërë.

“Emocione shumë të mëdha për mua. Kam punuar shumë që të jem pjesë e Kombëtares A. Do të jap maksimumin tim për Kombëtaren ashtu sic bëra edhe me Shpresat 2 vite më parë E zgjodha Shqipërinë se jam shqiptar. Zgjedhja ishte e gjitha e imja, nuk kisha dyshime për këtë’, tha Herdi Prenga.

Të njëjtat mbeten emocionet edhe për Bujar Likën, mesfushori i Grasshoperit në Zvicër, që gjithashtu është debutues me kuqezinjtë.

“Para dy ditësh luajta një ndeshje me Young Boys dhe Panucci më telefonoi, Jam krenar për mundësinë që më dhanë. Nuk kam pasur ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës. Për Shqipërinë nuk u mendova dy herë. Për mua ka qenë ëndërr që të luaj me Kombëtaren shqiptare. Ftesa nga Shqipëria ishte një kënaqësi e madhe edhe për familjen time”, tha Bujar Lika.

Ndeshja miqësore mes Kombëtares Shqiptare dhe Norvegjisë do të luhet në 26 mars në stadiumin ‘Elbasan Arena’.

Top Channel