Vdekja e akrobatit të “Cirque du Soleil” gjatë një spektakli në Tampa të Floridës, përpara syve të tmerruar të publikut, është pasqyruar gjerësisht nga shtypi i huaj, që ka nisur të zbardhë detaje nga incidenti fatkeq.
38-vjeçari Yann Arnaud ishte duke performuar për herë të parë një numër të ri, për të cilin ishte shprehur mjaft optimist në mesazhin e tij të fundit në Instagram.
Plot 15 vite eksperiencë nuk i mjaftuan megjithatë Arnaud, për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes. Pas një rrotullimi me kolegun, Pawel Walczewski, atij i rrëshqiti litari nga duart, edhe pse siç rrëfyen disa nga spektatorët ishte përpjekur dëshpërimisht të mbahej pas tij, në çastet e fundit përpara rrëzimit fatal.
Kompania, që në përgjithësi nuk përdor rrjeta mbrojtëse në spektaklet e saj, u shpreh thellësisht e tronditur nga vdekja e 38-vjeçarit, e sqaroi se po mbledh sa më shumë informacione që të jetë e mundur mbi episodin tragjik.
Presidenti Daniel Lamarre e cilësoi Arnaud, si njërin prej artistëve më me eksperiencë të trupës së cirkut me famë botërore. Ndonëse është ende shumë shpejt, sipas tij, për të dalë në përfundime, Lamarre theksoi se nuk beson që shkak i ngjarjes së rëndë të jetë bërë ndonjë problem me pajisjet.
Si policia e Tampas, ashtu edhe Administrata federale e Shëndetit dhe Sigurisë kanë nisur dy hetime të pavarura mbi incidentin, që vjen 5 vite pasi një tjetër pjesëtare e “Cirque du Soleil”, trapezistja 31-vjeçare Sarah Guillot-Guyard humbi jetën nga rrëzimi prej 15 metrash lartësi.
Top Channel