Përçarja e Vetëvendosjes, pritet formimi i partisë së re

19/03/2018 13:52

Pas zgjedhjeve te fundit ‘Vetëvendosje’ u kthye në partinë më të madhe në vend, por mospajtimet e shumta që çuan në largimin e 13 prej 32 deputetëve, e spostuan atë forcën e tretë në Kuvend.

12 nga të larguarit mes të cilëve Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Visar Ymeri e Faton Topalli formuan grupin e deputetëve të pavarur, ndërsa Donika Kadaj Bujupi u rikthye në Aleancën e Ardhmërisë për Kosovën.

Grupi i Deputetëve të Pavarur, kreu i te cilit është Dardan Sejdiu, pritet që shpejt të formojë edhe partinë e vet. Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se suksesi i këtij grupi do të varet nga aftësia për të ndërlidhur trashëgimin e Vetëvendosjes me një alternativë pragmatike që do të mundësonte ardhjen ne pushtet.

“Nuk duhet të distancohet nga e kaluara, por as të mbetet peng i saj”, tha analisti Artan Muhaxhiri. Sipas tij grupi i deputeteve të pavarur duhet të ofrojë strategji efikase për trajtimin e problemeve në disa prej segmenteve si ekonomia, mirëqenia, shëndetësia dhe arsimi.

Muhaxheri shton më tej se nëse grupi i ri do të identifikohej si aleat politik me kapacitete të specializuara për administrimin racional zhvillimor të pjesëve të caktuara të sistemit, partitë tjera do të tregonin gatishmëri për ta përfshirë në formacionet qeveritare.

Top Channel