Kosovë, kapet mish i skaduar. Ngarkesa 20-tonëshe ishte importuar nga Belgjika

18/03/2018 14:54

Rreth 40 mijë kilogramë mish, me cilësi të dyshimtë nga Belgjika, është shitur në tregun e brendshëm të Kosovës.

Mishi i kompanisë belge “Veviba” është importuar në Kosovë nga kompania “Euro Ida” me bazë në Komunën e Rahovecit.

Në total është importuar 63 mijë kg mish, 20 mijë kg janë asgjësuar, kurse pjesa tjetër ka hyrë në tregun e brendshëm.

Mediet vendase kanë siguruar një dokument të Doganës së Kosovës, ku shihet se çmimi i deklaruar i mishit në doganë ishte disa herë më i ulët sesa ai i tregut, vetëm 93 cent për kilogram.

Mishi, që besohet të jetë 12-vjeçar, ka hyrë nga pika kufitare e Vërmicës, duke kaluar tranzit në Portin e Durrësit. Ky është cilësuar si skandali më i rëndë ushqimor në Kosovë.

Zëdhënësi i doganës, Adriatik Stavileci tha se nuk ka pasur importe para vitit 2016, kur besohet të jetë eksportuar mishi i vjetër.

“Sipas të dhënave që zotëron Dogana e Kosovës për zhdoganimin, kjo komani (Veviba) nuk ka pasur importe para vitit 2016, kurse në vitin 2016, që përputhet edhe me kohën e shkatërrimit apo zbulimit të këtij skandali, vërehet që ka pasur tri importe në Kosovë, të cilat kanë qenë në sasi totale rreth 60 mijë kilogramë”, tha Stavileci.

Ndërkohë, kompania “Euro Ida” që ka importuar mishin e vjetër nga kompania belge, është vënë në shënjestër të hetimeve.

Skandali i mishit të prishur është zbuluar në Belgjikë, nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC), javën e kaluar. Ky skandal ka prekur edhe shumë vende të Europës, që dyshohet se kanë konsumuar këtë lloj mishi.

Top Channel