Konfrontimet me Perëndimin hedhin “ujë” në “mullirin” e Putinit

18/03/2018 11:15

Shtetasit në mbarë Federatën Ruse kanë nisur të votojnë që prej mëngjesit të kësaj të diele, në zgjedhjet presidenciale që priten gjerësisht të çimentojnë pushtetin e presidentit Vladimir Putin edhe për 6 vite të tjera.

Kutitë e votimit janë hapur fillimisht në Lindjen e Largët, ndërsa në total, 109 milionë votues do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre në shtetin me shtrirjen gjeografike më të madhe të botës, në plot 11 zona orare të ndryshme.

Gjithsesi, kjo duket të jetë një sipërmarrje e jashtëzakonshme logjistike, për një palë zgjedhjesh të konsideruara totalisht të njëanshme. Kjo, sepse në Rusi nuk ka asnjë kandidat me potencial të konsiderueshëm opozitar në zgjedhjet presidenciale, pasi kundërshtarit më të ashpër politik të Putinit, Alexei Navalny, i është ndaluar kandidimi. E pas një periudhe të shkurtër fushate, presidenti 65-vjeçar është pretendenti më i qartë për fitore.

Putin është në kërkim të mandatit të tij të katërt si president, teksa është bërë prej kohësh udhëheqësi më jetëgjatë i vendit, që prej diktatorit sovjetik Joseph Stalin. Fitorja në këto zgjedhje do të nënkuptojë udhëheqjen e tij në krye të Kremlinit deri në vitin 2024, vit pas të cilit është i detyruar nga Kushtetuta që të tërhiqet.

Vladimir Putin e hodhi votën e tij që në orët e para të mëngjesit në Moskë.

“Jam i sigurtë mbi korrektesën e kursit që i propozoj vendit tim”, tha ai, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “RIA-Novosti”.

Edhe pse procesi mund të duket thjesht si një përsëritje e zgjedhjeve të dominuara prej Putinit në vitin 2012, këto të fundit janë veçanërisht të ngarkuara me ndjenja antiperëndimore. Rusët janë ndeshur me një pamjaftueshmëri raportimesh të ngjarjeve lidhur me zgjedhjet, ndërsa kohën televizive e kanë zënë më shumë krizat diplomatike të vendit me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Kremlini, gjithsesi, mbetet i shqetësuar mbi përqindjen e pjesëmarrjes. Kjo pasi fushata – e pangjarë më parë, – tejet e shkurtër zgjedhore, si dhe mungesa e rivalitetit i ka lënë shumë shtetas rusë të pafrymëzuar. Navalny ka bërë thirrje për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve, që kur iu mohua zyrtarisht pjesëmarrja.

Madje edhe vala e protestave antiqeveritare të vitit të kaluar në Rusi sugjeron gjithashtu një lodhje në rritje të qytetarëve nga skandalet e korrupsionit që kanë prekur edhe oligarkët e rrethit më të ngushtë të Putinit. Megjithatë, Putini mbetet ende një figurë popullore mes shumicës së rusëve, të cilët e shohin atë si “njeriun e hekurt” që drejtoi vendin nga kaosi postsovjetik drejt qëndrueshmërisë.

Zgjedhjet në të kaluarën kanë treguar gjithashtu një rritje të popullaritetit të Putinit sa herë që ka konfrontime me Perëndimin, ndaj rusët duket se nuk do të jenë të pandjeshëm nga krizat aktuale diplomatike.

Marrëdhëniet Rusi-Britani kanë prekur kufinjtë e “trazirave” pas helmimit të ish-spiunit rus, vajzës së tij dhe një oficeri policie në tokën britanike më herët gjatë këtij muaji. Kryeministrja Theresa May tha se, “me shumë gjasë” fshihej Kremlini pas sulmit, ndërsa të dyja vendet kanë vendosur të dëbojnë diplomatët respektivë.

Rusia është angazhuar gjithashtu të hakmerret edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi këto të fundit vendosën sanksione të reja ndaj Moskës gjatë kësaj jave, për shkak të sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në të dyja rastet, Moska ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje.

Por konflikte të tilla me fuqitë ndërkombëtare, zor se do ta dëmtojnë Putinin në “shtëpinë” e tij. Përkundrazi, ai mund të mbështetet në këto konfrontime me ndërkombëtarët në këto zgjedhje. Partia e tij e “Rusisë së Bashkuar” ndihmoi Parlamentin në zhvendosjen e datës së votimit pikërisht në përvjetorin e katërt të aneksimit rus të Krimesë nga Ukraina. Pikërisht ky veprim, i ndodhur në vitin 2014, e ripërkufizoi rolin e Rusisë në skenën botërore dhe shënoi fillimin e tensioneve të reja, të përshkallëzuara me fuqitë perëndimore. Marrë nga CNN.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel