Duhej të ishte në shkollë, po një vonesë disa minutëshe e la jashtë dyerve të saj dhe i kushtoi jetën 16-vjeçarit nga Durrësi, që në fillim të këtij muaji u përfshi në një sherr banal, ku gjeti vdekjen nga goditja me thikë e një bashkëmoshatari.
Ngjarja e rëndë sjell në vëmendje jo vetëm dhunën dhe rreziqet që u kanosën nxënësve, po dhe mungesën e infrastrukturës në shkolla për të asistuar brenda ambienteve të saj nxënësit që paraqiten me vonesë në mësim. Ka nga ata që kapërcejnë rrethimin e shkollës për t’u bërë pjesë e procesit mësimor. Të tjerë presin jashtë saj.
Lënia jashtë mësimit e atyre që nuk respektojnë orarin është një rregull i brendshëm i shkollave në vend, ndërsa drejtuesja e DAR në Durrës sqaron se është detyrë e drejtorive të shkollave që t’i trajtojnë këta nxënës brenda territoreve të shkollave. Por a kanë shkollat tona infrastrukturë për të trajtuar nxënësit që mbeten jashtë procesit mësimor, për shkak të vonesës?
“Ato pak shkolla të reja të ndërtuara me standarde europiane mund të kenë mjedise, po nevojitet dhe personel mësimor, si një psikolog a një mësues, që nuk ka mësim orën e parë dhe mund t’i asistojë ata”, tha Lindita Muka, drejtor i DAR Durrës.
Ndryshimi i rregullit që lë jashte e të ekspozuar ndaj rreziqeve këta nxënës duhet t’i nënshtrohet vendimmarrjes së komunitetit prindër-nxënës-shkollë, ndaj Drejtoria Aarsimore i fton aktorët e interesuar të vihen në lëvizje e të ndryshojnë një rregull që përtej disiplinës sjell shumë shqetësim.
“Në këtë kuadër do të ftoja të gjitha drejtoritë e shkollave të Durrësit që në kuadër të angazhimit të komunitetit mund të bëjnë ditë të hapura për të bërë konsultime me mësuesit, nxënësit dhe prindërit për të rregulluar legjislacionin e brendshëm të shkollave dhe do ishte e mirëpritur nga ne që të na japin një zgjidhje dhe këtë nisëm nga Durrësi mund ta përcjellim dhe në rrethet e tjera të Shqipërisë”, thotë Mukaj.
Shkollat, përmes bordeve i kanë mekanizmat e përfshirjes së prinderve dhe nxënësve në vendimmarrje, po në të shumtën e rasteve këto borde nuk janë aktive dhe ky është rasti kur bordet dhe konsultimet në komunitet duhet të aktivizohen, për të shmangur rreziqet dhe rritur sigurinë e nxënësve.
Top Channel