Veliaj: Kemi mbjellë 95 mijë pemë, krenar për revolucionin e gjelbër në Tiranë

17/03/2018 11:58

Në Unazën e Madhe janë mbjellë edhe 1 mijë selvi, dhuratë për bashkinë e kryeqytetit nga kompania TAP.

Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se falë kontributit të shumë bizneseve, institucioneve shtetërore dhe qytetarëve për të dhuruar pemë, sot jemi shumë afër objektivit së 100 mijë pemëve.

“Sapo kemi kaluar 95 mijë pemë të mbjella dhe jemi shumë afër qëllimit tonë kryesor, që në datën 21 Mars jo vetëm të kapim 100 mijëshen, por edhe ta kalojmë atë shifër. Me miq si TAP-i besoj se do t’ia arrijmë dhe do dalim faqebardhë në këtë nismë. Në fund të ditës, kjo është gjurma që lë secili prej nesh”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi të gjithë ata qytetarë apo biznese që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’u bërë pjesë e këtij aksioni, që do t’i japë qytetit më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër në vitet e ardhshme.

“Dikush mund të punojë në TAP, dikush tjetër në qeveri, dikush në bashki, këto janë të gjitha punë të përkohshme, por ajo që ngelet është gjurma e veprave që lamë pas. Kjo fushatë e gjelbërimit të Tiranës, ku secili në çdo segment ka lënë gjurmën e vet, është diçka që do na bëjë të ndihemi krenarë edhe kur të mos jemi më duke bërë këto punë. Kështu që, ju falenderoj me gjithë zemër dhe ju jam shumë mirënjohës”, deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA