Empoli hodhi një tjetër hap të rëndësishëm, sa i përket rikthimit në Serinë A, pasi në javën e 30 regjistroi një fitore 3-2 përballë Venezias, duke u shkëputur në krye të renditjes.

Skuadra ku aktivizohet qendërmbrojtësi i kombëtares, Frederik Veseli, por që sot nuk ishte në dispozicion të trajnerit, është një nga pretendentët kryesorë për t’u rikthyer në Serinë A, nga ku u largua vetëm sezonin e kaluar.

Rezultat mjaft pozitiv mori edhe Bari, me Migjen Bashën kapiten, teksa u nda në barazim pa gola me Cittadellën, në transfertë. Ky ishte barazimi i 3-të radhazi për skuadrën e drejtuar nga Fabio Grosso, por duke qenë se të dy skuadrat janë pjesë e zonës Play Off, për t’u ngjitur në Serinë A dhe ndeshja shikohej si një sfidë direkte, mund të cilësohet rezultat pozitiv.

Frosinone hodhi një hap fals në shtëpi, teksa nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me Salernitanën. Ndonëse nuk fiton prej 2 javësh, Frosinone mbetet në vendin e dytë, por tashmë ka luajtur një ndeshje më shumë se Palermo ndjekëse.

Edhe siçilianët nuk arritën të festojnë në transfertën ndaj Novarës. Vendasit kaluan të parët në avantazh, që në fillim të sfidës, por Palermo u zgjua në pjesën e dytë dhe përmbysi rezultatin. Gjithsesi, Novara ia doli të shënojë në minutat e fundit dhe të marrë një pikë me shumë vlerë në shtëpi.

Top Channel