Të hënën nis punën në Kuvend i ashtuquajturi “Komisioni Hetimor Tahiri”, i kërkuar nga Partia Demokratike, që edhe do ta drejtojnë atë përmes Edi Palokës.
Dy ditë para kësaj mbledhjeje, Lulzim Basha u dha porositë deputetëve demokratë të komisionit.
“Ne do të hetojmë si dhe pse ndodhi që e gjithë kupola e Policisë u kthye në organizatë kriminale dhe askush në qeverisje nuk reagoi? Si dhe pse ndodhi që, megjithë informimet e shumta për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, asnjë institucion shtetëror nuk e vuri atë para përgjegjësisë? Si dhe pse ndodhi që vendi u mbulua me drogë sheshit dhe asnjë institucion shtetëror nuk reagoi dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar? “, u shpreh Basha.
Ndonëse në media është emërtuar si “Komisioni Hetimor Tahiri”, çështja për të cilën Prokuroria po heton ish-ministrin e Brendshëm, është vetëm një pjesë e objektit të këtij Komisioni parlamentar.
Pjesa e parë e objektit ka të bëjë me “veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike”.
Në këtë përkufizim bie në sy mungesa e një periudhe kohore, në të cilën do të përqendrohet hetimi. Kjo pakujdesi e demokratëve, duket se u jep mundësinë socialistëve që ta shtrijnë hetimin përtej qeverisjes së tyre, duke u zgjatur në kohë edhe kur qeverisnin demokratët.
Politikisht, mazhoranca e përsërit prej vitesh se kultivimi i kanabisit ishte një fenomen që nuk lindi me ardhjen e PS-së në pushtet, por që mbahej i fshehur nga demokratët në kohën e ish-qeverisë Berisha.
Ndërkohë që demokratët kanë kryesimin e komisionit hetimor, Rregullorja i jep palës tjetër shumicën e anëtarë, gjë që mund të shfrytëzohet nga socialistët që në mbledhjen e parë, kur do të duhet të përcaktohet edhe plani paraprak i hetimit.
Top Channel