“Shefi” solli në Shqipëri agjentë të DIA-s italiane, detaje të operacionit

16/03/2018 11:14

Operacioni “Shefi” dhe arrestimi i 43 personave, mes të cilëve 19 shqiptarë, solli në Tiranë prokurorin e anti-mafias italiane, Ettore Cardinali.

Operacioni në Itali u realizua falë skuadrave të përbashkëta të hetimit, të krijuara prej 2017 mes dy vendeve, të cilat sipas kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, do të vazhdojnë edhe për të tjera raste.

“Arrestimi i disa prej këtyre shtetasve është bërë si rezultat i hetimeve të përbashkëta të kryera mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë dhe Prokurorisë së Barit. Po kryhen hetime paralele si nga ana jonë edhe nga homologët tanë italianë për një numër procedimesh për trafikim të sasirave të mëdha të narkotikëve, kryesisht të llojit kanabis sativa të trafikuara në forma të ndryshme përmes detit, ajrit dhe në disa raste edhe përmes pikave të kalimit kufitar”, tha Besnik Hajdarmataj, prokuror i Krimeve tw Rwnda.

“Jam këtu për të vërtetuar raportet e mira të besimit që janë vendosur me Prokurorinë për Krimet e Rënda në 2017. Bëhet fjalë për skuadrën e përbashkët hetimore mes Shqipërisë dhe Italisë. Bashkëpunimi do të vazhdojë, gjithashtu edhe shkëmbimi I informacioneve qe do të lejojë pasjen e një niveli hetimi më të frytshëm. Filozofia e krimit është se nqs këto forca janë aq të forta sa të bëjnë këto krime, atëherë më e fortë duhet të jetë policia dhe bashkëpunimi për të fituar luftën ndaj kriminalitetit”, u shpreh Ettore Cardinali, antimafia e Barit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ku dhanë detaje të këtij operacioni, dy prokurorët thanë se në hetim janë vënë dy organizata të ndara, duke bërë të ditur gjithashtu se droga vinte nga Orikumi.

Top Channel