Rrallë ka ndodhur që Dita e Verës të rastisë në mot të keq. Natyra i ka respektuar gjithmonë njerëzit, për ta festuar ashtu siç duhet stinën e ngrohtë. Por, njerëzit edhe një herë treguan se nuk dinë ta respektojnë natyrën. Dita e Verës la pas një ambient të mbushur plot me mbetje, ku qytetarët, pasi mbaruan piknikun e tyre, u larguan dhe lanë gjithçka në një gjendje që nuk do të donin ta gjenin kur të riktheheshin.
Edhe pse është një nga vendet më të afërta e më të bukura të Elbasanit, ku mund të kalohen orë të këndshme në natyrë, duke shijuar gjelbërimin dhe pamjen e qytetit nga lart, Kodër Krasta herë pas here bie pre e papërgjegjshmërisë së qytetarëve, ndërsa kulmi shënoi Ditën e Verës, duke lënë pas një pamje aspak dinjitoze.
Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Jonuz Beqiri, edhe një herë u bëri apel qytetarëve që të tregohen të përgjegjshëm: “U bëj apel që të mos hedhin mbeturinat kudo. Është e papranueshme që pikat turistike të kthehen në vend mbeturinash”.
Përsa kohë nuk e kemi kuptuar se mjedisi nuk i përket asnjë qeverie apo bashkie, por është pasuri e jona e përbashkët, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një kosh i madh mbeturinash.
Top Channel