Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në një pikë therje ilegale një sasi mishi pa vulë, dhe i paregjistruar në QKB.
Shkelësi ishte Pëllumb Kaziu dhe aktivitetin e kundraligjshëm e kryente në katin e parë të banesës se tij në Lagjen Spitallë, në qytetin e Durrësit.
Gjatë momentit të inspektimit të subjektit nga DRAKU Durrës u gjendën 5 karkasa qingji pa dokumentacion shoqërues. AKU mori menjëherë masën urgjente për ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit, si dhe masën administrative gjobë me vlerën 200 mijë lekë.
Gjithashtu u sekuestruan 42 kg mish qengji, 6 kg plënc, lëkura (5 copë), thika, çengel dhe mjetet e tjera të punës që përdoreshin për therjen e kafshëve.
Subjekti ushtronte aktivitetin si njësi tregtimi mishi por nuk rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. Gjithashtu, ambienti në të cilin tregtohej produkti mish, ishte jashtë çdo standardi edhe minimal të Sigurisë Ushqimore – duke përbërë kështu rrezik real e të vazhdueshëm për konsumatorin.
Në këtë aksion Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Drejtorinë e Hetimit Tatimor.
Top Channel