Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë dy futbollistët që po shkruajnë faqe njëra pas tjetrës në futbollin europian. Janë ata që po dominojnë këtë sport prej një dekade, diçka që tregohet edhe në statistikat e tyre, që vështirë se do të arrihen nga lojtarë të tjerë në të ardhmen. Ata janë të vetmit që kanë arritur kuotën e 100 golave në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.

Në avantazh në këtë aspekt është portugezi i Realit të Madridit, që ka 117 gola të shënuar kundrejt 100 të Messit, me argjentinasin që e arriti këtë kuotë golash pas fitores 3-0 të Barcelonës ndaj Chelseat.

Ronaldo kryeson edhe për sa u përket golave në të gjitha kompeticionet e UEFA-s, me 120 finalizime kundrejt 103 të Messit. Më 14 shkurt të këtij viti, në ndeshjen ndaj Paris SG, Ronaldo u bë i pari që arriti kuotën e 100 golave në Champions League me fanellën e Realit, rezultat që Messi e barazoi pas një muaji me Barcelonën.

Duke marrë parasysh fazën e grupeve në Champions, të dy futbollistët kanë arritur në kuotën e 60 golave, ndërsa për fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, Ronaldo është i pari që e kaloi kufirin e 50 golave. Si Ronaldo, ashtu edhe Messi e kanë një skuadër të preferuar për shënimin e golave. Bayern Munchen është ekipi që është ndëshkuar më shumë nga Ronaldo, me 9 gola, shifër të cilën Messi e ka regjistruar kundër Arsenalit.

Avantazhi që ka Messi ndaj Ronaldos është se argjentinasi e arriti kuotën e 100 golave të shënuara pas 123 ndeshjesh, ndërsa ylli i Reali i madridit u desh të luajë 144 ndeshje për të arritur në kuotën e 100 golave.

Top Channel