Protagonistët e Gërdecit të lirë, ish shefi i shtabit ende në kërkim

15/03/2018 15:06

Kanë kaluar 10 vite nga tragjedia e Gërdecit. Rreth shpërthimit masiv që shkatërroi një fshat dhe vrau 26 persona, punonjës, banorë të fshatit por edhe fëmijë.

Ngjarja është ende shumë e freskët. Po ku ndodhen sot protagonistët e saj? Familjarët e viktimave që ndodhen në banesën e fundit, janë ende në kërkim të drejtësisë, ndërsa të 28 të akuzuarit për ngjarjen janë të lirë, duke përfituar edhe ulje dënimi.

Për ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, prokuroria nuk gjeti prova. Ish ministri dha dorëheqjen menjëherë ndërsa pas heqjes së imunitetit u pyet edhe nga prokurorët për ngjarjen. Fatmir Mediu tani është sërish deputet i Kuvendit.

Ministria qe ai drejtonte kishte pajisur me leje firmën e demontimit ‘Alba Demil’ drejtuesit e së cilës, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli pasi vuajtën dënimin dolën nga burgu.

Delijorgji vijon aktualisht punën për ndërtimin e pallateve. I lirë është edhe Ylli Pinari, ish drejtuesi i kompanisë shtetërore MEIKO-s, por edhe ushtakarët që u dënua. I vetmi që nuk ka vuajtur ende dënimin, është ish shefi i shtabit Luan Hoxha i cili është ende në kërkim pasi u dënua me 6 vite burg për ngjarjen.

Emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish kryeministrit, u përmend në lidhje me ngjarjen, por asnjëherë ndaj tij nuk u ngrit një padi penale, ndërsa akuzat politike ndaj tij dhe ish kryeministrit vijojne ende.

Por biznesmeni Kosta Trebicka, i cili foli pas ngjarjes, humbi jetën në një aksident në gjueti. Dy të rinjtë amerikane, Efraim Diveroli dhe ortaku i tij David Pakouz fituan lirinë, ndërsa historia e tyre u ekranizua në filmim “War Dogs”.

Në Shqipëri, asnjë nga të dënuarit nuk u akuzua për vrasje me dashje, siç kërkoi prokuroria, pasi gjykata e çmoi se shpërthimi i fuqishëm erdhi si pasojë e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë dhe mos trajnimin e punonjësve që merreshin në pune. Po a është dhënë drejtësia për atë ngjarje që i morri jetën 26 personave? Familjarët e tyre, në çdo 15 mars kur çojnë lule në përmendoren e vogël pranë vendit të shpërthimit, thonë se vetëm drejtesi nuk u dha për Gërdecin.

Vendimet e Gjykatës për të pandehurit e “Gerdecit”:
1-Mihal Delijorgji 10 vjet burg
2-Ylli Pinari 18 vjet burg
3-Dritan Minxolli 18 vjet burg
4-Sokol Ngjeci 10 vjet burg
5-Shkëlzen Madani me 3 vjet dhe 3 mln gjobë
6-Luan Hoxha 6 vjet burg
7-Ardian Mullahi i pafajshëm
8- Agim Lala i pafajshëm
9-Dashnor Çaushi 3 vjet burg
10- Hilmi Laçaj 3 vjet burg
11-Gëzim Oshafi 3 vjet burg
12-Jorgo Mino 3 vjet burg
13-Fahri Toska 3 vjet burg
14-Zenun Ferro 3 vjet burg
15-Ndue Marku 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
16-Fatbardh Kuci 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
17- Shpëtim Spahiu 4 vjet burg, pezullohet dënimi për një afat 3 vjeçar
18-Hysni Coçka 3 vjet burg
19-Zija Baja i pafajshëm
20- Fiqiret Mato i pafajshëm
21-Agim Babameto i pafajshëm
22-Besnik Dauti i pafajshëm
23-Adriatik Mema i pafajshëm
24-Armand Tartari 1 vit burg
25-Te rishqyrtohet çështja ndaj Lavdi Shatros
26- Denis Hajdari 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë
27- Juliana Margariti e pafajshme
28- Rezart Tërshana i pafajshëm
29 -Shoqëria AlbaDemil gjobitet me 25 milionë lekë dhe ndalohet për 10 vite pjesëmarrja në tenderë dhe prokurime publike. Lihet në fuqi sekuestroja mbi pasuritë e Mihal Delijorgjit deri në shqyrtimin e padive civile nga Gjykata e Tiranë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA