Reali i Madridit kërkon të mbyllë çështjen “Neymar” përpara se të nisë Botërori rus i futbollit. Të paktën kështu informon e përditshmja sportive spanjolle “AS”, sipas së cilës koha është shumë e kufizuar për një operacion të një vështirësie të tillë, duke parë vlerën e lojtarit, fuqinë dhe prestigjin e dy klubeve respektive.

Paris SG e rrëmbeu verën e vitit të kaluar “O Ney” nga Barcelona duke paguar klauzolën për prishjen e kontratës prej 222 milionë eurosh, e sigurisht nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e brazilianit, por sipas medies së vendlindjes së tij “Uol Esporte”, babai-agjent i lojtarit ka takuar presidentin madrilen Florentino Perez javën e kaluar. Një zbulim i konfirmuar edhe nga spanjollja “AS”.

Babai ka tentuar të studiojë një strategji të mundshme për të mundësuar kalimin e ish-lojtarit të Barcelonës te “Los Blancos”.

Sipas të përditshmes madrilene, babai i Neymar i ka bërë të ditur presidentit të Realit se djali i tij nuk ndihet mirë në Paris, përveçse ka pranuar se transferimi i tij në Madrid është diçka shumë e komplikuar.

Por, edhe bashkëkombasi Marcelo i ka thënë Neymarit se ekipi madrilen është gati ta mirëpresë në radhët e tij atë.

Top Channel