“MotoGP”, Rossi rinovon me Yamahën deri në vitin 2020

15/03/2018 16:45

Valentino Rossi rinovoi kontratën e tij me skuadrën e Yamahës, duke zgjatur me dy sezone të tjera protagonizmin në garat spektakolare të motorëve, aty ku shkruan historinë prej më shumë se dy dekadash.

Piloti pezarez, autor i disa provave dhe kampionateve nga më emocionuese në klasin mbretëror, do të qëndrojë në pistat e garave deri në vitin 2020.

“Doktori” i “MotoGP”-së, që ka fituar 9 tituj kampion bote dhe koleksionon në total 115 fitore në Çmimet e Mëdha, bëri debutimin e tij në sezonin 1996. Aventura e tij me skuadrën e Yamahas vazhdon që prej vitit 2004 e deri më sot, me përjashtim të dy sezoneve me Ducatin në vitet 2011 dhe 2012.

“Kur firmosa kontratën në vitin 2016 pyeta veten nëse ajo do të ishte vërtet e fundit. Por, këto kohë kam kuptuar se të garoj më bën shumë mirë dhe puna me mekanikët e inxhinierët është një kënaqësi. Falënderoj të gjithë tek Yamaha, pasi është sfidë vërtet e madhe të mbetesh konkurrues në moshën 40 vjeç”, tha Valentino Rossi.

Ai zyrtarizoi firmën në pistën e Lozailit, aty ku të dielën do të synojë të marrë pikët e para për titullin e 10 kampion, që aleancat e dyshimta spanjolle apo fati i keq ia mohuan para pak vitesh.

Top Channel