Andres Iniesta ka nënshkruar një kontratë të përjetshme me Barcelonën, e megjithatë, qëndrimi i tij te skuadra katalanase nuk është i sigurtë.

Vet mesfushori 33-vjeçar ka ngritur dyshime në lidhje me këtë çështje, kur theksoi se brenda muajit prill do të marrë një vendim.

“Klubi do ta mësojë i pari çfarë do të bëj në të ardhmen. Është një vendim që duhet ta marr përpara datës 30 prill dhe dy janë opsionet: të qëndroj, ose të largohem nga Barcelona. Ideja ime nuk ka ndryshuar që nga momenti që rinovova kontratën me klubin”, tha Iniesta pas ndeshjes me Chelsean në Champions League, që katalanasit e fituan 3-0, duke u kualifikuar për në çerekfinalet e këtij kompeticioni.

Së fundmi është folur shumë për një interes të klubeve kineze për kapitenin e Barcelonës. Vitin e kaluar, në drejtim të Iniestës erdhën dy oferta nga vendi aziatik, njëra prej të cilave ishte një kontratë me pagë prej 35 milionë eurosh si dhe disa privilegje të tjera, ofertë që u refuzua nga futbollisti, që gjithsesi nuk e përjashtoi mundësinë që të përjetojë një aventurë të re në Kinë.

Top Channel