Burg “Njeriut Bombë”. Masa e sigurisë për Gent Hoxhën jepet në spital

15/03/2018 10:48

Gjyqtarja Shefkije Demiraj dhe prokurori Ervin Karanxha e kanë zhvilluar seancën për caktimin e masës së sigurisë për Gent Hoxhën në ambientet e Spitalit të Traumës.

Hoxha mbahet në reanimacion për shkak të plagëve që mori nga shpërthimi në dyqanin e tij të celularëve, ku prokuroria dyshon se montonte bomba me celular. Pas seancës që zgjati pak minuta në sallën e reanimacionit, gjyqtarja komunikoi këtë vendim.

“Arrest me burg. Kaq mund t’ju them”, deklaroi gjyqtarja para gazetarëve.

Ndërsa avokati i caktuar kryesisht deklaroi se klienti i tij nuk e dinte se çfarë i kishte shpërthyer: “Ai thotë që ka pasur një pako në dorë që i ka shpërthyer”.

Me një qëndrim mohues të të akuzuarit si “Njeriu Bombë”, tashmë i takon prokurorisë që të vërtetojë dyshimin se Gent Hoxha montonte bomba me celular dhe shpërthimi ka qenë aksident gjatë procesit të punës për montimin e një bombe të tillë.

Top Channel