Kryeministri Rama i dorëzoi certifikatën e pronësisë Kishës Katolike të Shën Piut X në Elbasan, duke i dhënë kështu fund një problemi shumëvjeçar në mbi pronësinë e tokës në të cilën ajo është ndërtuar.
“Më vjen shumë mirë që sot ne i japim fund një kalvari shumë të gjatë, një kalvari absurd dhe të dhimbshëm për komunitetin katolik dhe për Kishën Katolike shqiptare, e cila, pasi kaloi përgjatë flakëve të ferrit të diktaturës, u desh të ndeshej për çerekshekulli me flakët e ferrit të administratës. Praktikisht, siç edhe e dini, u kërcënua seriozisht në ekzistencën e saj këtu në Elbasan dhe më vjen mirë që, përfundimisht, përgjithmonë, nga sot kisha do disponojë pronën e saj të regjistruar dhe të patundur dhe të patundshme më,” u shpreh Kryeministri.
Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brovvn, falënderoi Kryeministrin në emër edhe të Papa Franceskut, për zgjidhjen e cështjes së pronësisë.
“Doja t’ju thoja sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij!” tha nunci apostolik Charles John Brovvn.
Pronësia e Kishës Katolike të Shën Piut X në Elbasan u kthye në temë debati pasi gjykatat shqiptare të të gjitha shkallëve, i njohën pronësinë e truallit familjarëve të Odeta Nishanit, gruas së ish-Presidentit Nishani.
Kisha rrezikonte shembjen dhe kjo solli reagimin e përbashkët të besimtarëve dhe të gjitha komuniteteve fetare në vend, gjë që u shmang nëntorin e kaluar, kur me Vendim të Këshillit të Ministrave u miratua shpronësimi për interes publik i truallit prej 5000 m2 dhe kalimit të tij në favor të Kishës. Pronarët, mes tyre dhe ish-Zonja e Parë, Odeta Nishani, u dëmshpërblyen në vlerën e 70 milionë e 960 mijë lekëve.
Top Channel