Protesta e një grupi kredimarrësish ka degjeneruar në përleshje fizike mes protestuesve dhe policisë, në kryeqytetin grek Athinë.

Përleshja mes protestuesve dhe policisë filloi pasi forcat e rendit penguan hyrjen e tyre në një godinë, në të cilën po zhvillohej ankand për shitjen e banesave të sekuestruara prej bankave, nga kredimarrësit që nuk mund të paguanin këstet e kredive.

Policia ndërhyri duke ushtruar dhunë kundër protestuesve, të cilët kundërshtonin shitjen e banesave.

Përballja e radhës mes forcave të rendit dhe protestuesve ndodhi në rrugët “Themistokleos” dhe “Akademias”, jashtë një zyre noteriale, në kohën që një grup protestuesish të mbështetur edhe nga anarkistët tentuan të ndërprisnin procedurën e shitjes së një banese, këstet e së cilës nuk ishin paguar prej kredimarrësit, pasi sipas tij me krizën që ka plakosur vendin ishte e pamundur të paguante detyrimet, duke humbur kështu banesën e familjes së tij.

Pesë persona u dërguan në spital me plagë, mes tyre edhe një fotoreporter, ndërsa 3 persona të tjerë janë shoqëruar në polici, sa i përket bilancit të përleshjeve të së mërkurës.

Protestuesit kërkojnë që të mos shiten me ankand banesat fillestare të kredimarrësve, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi shumë prej tyre kanë humbur punën dhe të ardhurat për shkak të krizës ekonomike që ka pllakosur vendin, ndaj dhe rrezikohen të mbeten në rrugë nëse shiten banesat e tyre, por bankat thonë se në ankand deri tani kanë dalë vetëm banesat e atyre që nuk kanë paguar asnjë këst për shlyerjen e kredive të marra.

Ndonëse situata ka krijuar një plagë sociale për grekët e gjunjëzuar nga kriza, nga ana e saj, qeveria thotë se nuk mund të bëjë asgjë për të shmangur ankandet, pasi shitja e aseteve të sekuestruara prej bankave të nivelit të dytë është kusht prej FMN-së dhe Bankës Qendrore Europiane për vazhdimin e ndihmës për Greqinë, ekonomia e së cilës vazhdon ende të jetë në limitet e falimentimit.

Protestat mbështeten nga krahu radikal i partisë qeverisëse “Syriza”, si dhe nga disa ish-deputetë të kësaj partie, në krye të të cilëve qëndrojnë Zoi Konstandopulou, ish-kryetare e Parlamentit, dhe Panajotis Lafazanis, ish-ministër në kabinetin “Tsipras 1”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA