Departamenti i antimafies italiane të Barit, DIA, shkatërroi një rrjet italo-shqiptar të trafikut të drogës nga Shqipëria me gomone drejt Italisë, në bregdetin e Barit.

Operacioni i arrestimeve nisi mëngjesin e së mërkurës në Itali për 43 urdhra arresti, mes të cilëve, 20 italianë, 21 shqiptarë dhe 2 rumunë, janë rezultatet paraprake të këtij operacioni i cili përgatitej që nga viti 2016 dhe që është koduar me emrin shqiptar ‘Shefi’.

Katër nga të arrestuarit thuhet se janë kapur në Shqipëri. Sipas mediave italiane, aksioni ka goditur dy rrjete kriminale të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, të cilët nëpërmjet rrugëve detare kanë trafikuar sasira të konsiderueshme jo vetëm kanabisi, por edhe droga të forta si kokainë dhe heroinë.

Nga hetimet rezulton se këtyre grupeve në kohë dhe vende të ndryshme u janë sekuestruar mbi 2300 kilogram lëndë narkotike, kanabis, heroinë dhe kokainë me një vlerë që shkon deri në 15 milionë euro.

Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se në këtë aksion janë angazhuar mbi 200 punonjës të departamentit të antimafias, DIA, Guardia di Finanza, karabinerisë si dhe policisë shqiptare. Por Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tiranë, tregohet mjaft e rezervuar për këtë operacion.

Burime pranë kësaj drejtorie e konfirmojnë operacionin por nuk pranojnë të japin të dhëna, pasi operacioni, sipas tyre është ende në zhvillim.

Ndërkohë burime të Top Channel janë shprehur se të paktën katër nga anëtarët e dy organizatave kriminale janë arrestuar në territorin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër në Itali, në qytetet e Barit, Brindisit, Bolonjës dhe rrethinat e tyre.

Për nga numri i personave të arrestuar, operacioni “Shefi” konsiderohet nga më të suksesshmit në goditjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Top Channel