Juventus u kthye në harkun e pak javëve në favoriten numër 1 për titullin kampion në Serinë A, aq sa të distancojë tashmë Napolin e vendit të dytë me 4 pikë. Skuadra torineze përmbushi misionin e saj në ndeshjen e prapambetur ndaj Atalantës në të cilën triumfoi 2-0.

Galopimi i Dagllas Costa rezultoi fatal për prapavijën e Atalantës në fraksionin e parë. Anësori teknik shpiku një asist për sulmuesin Gonzalo Higuain që mposhti portierin e kombëtares shqiptare të futbollit Etrit Berisha.

Gardiani kuqezi u tradhtua nga prapavija e tij edhe në pjesën e dytë. Matuidi finalizoi një goditje brenda zonës dhe portieri Berisha mundi ta prekte sferën por pa i ndryshuar dot destinacionin final.

Me suksesin e kësaj mesjave, Juventus konsolidon kryesimin me 74 pikë, 4 më shumë se Napoli kërcënimi i vetëm për fronin.

Top Channel