Kryeministri palestinez i shpëton atentatit në Gaza

13/03/2018 11:30

Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi, që kishte për shënjestër autokolonën e kryeministrit palestinez, Rami Hamdallah, ka shkaktuar disa të plagosur, por vet ai ia ka hedhur paq.

Presidenti Mahmoud Abbas dënoi sulmin “frikacak” ndaj autokolonës dhe tha se për këtë ngjarje bën përgjegjës grupin e militantëve islamik të Hamasit, që dominon në Rripin e Gazës.

Incidenti ndodhi mes tensioneve në rritje mes fraksioneve kryesore palestineze mbi implementimin e marrëveshjes së pajtimit të nënshkruar vitin e kaluar.

Palestinezët në Gaza dhe në Bregun Perëndimor kanë sunduar më vete, që prej vitit 2007 kur një mosmarrëveshje mes Hamasit dhe Fatahut të udhëhequr nga Abbas u përshkallëzua në dhunë.

Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare në territoret e pushtuara vitin pasardhës, ndërkohë që u rikthye në pushtet në Gaza pasi zmbrapsi Fatahun nga enklava palestineze.

Sipas disa dëshmitarëve, një person që po kalonte me motor hodhi një pajisje shpërthyese drejt makinës së fundit të autokolonës së kryeministrit, vetëm pak pasi ajo kishte hyrë në Gaza përmes pikëkalimit të Erezit, që lidh enklavën me Izraelin, mëngjesin e së hënës.

Pamjet tregojnë një fuoristradë “4×4” me xhama të thyer dhe me jastëkët e ajrit të hapur.

Zyra e presidentit Abbas tha se bën përgjegjëse Hamasin për këtë shpërthim, që sipas tij kishte për objektiv kryeministrin Hamdallah dhe kreun e shërbimeve sekrete, Majed Faraj, që të dy përfaqësues të lartë të Fatahut. Hamasi, nga ana e tij e quajti “një krim të shëmtuar” dhe tha se ka nisur një hetim.

Pas incidentit, Hamdallah u shfaq në një ceremoni për hapjen e një impianti të trajtimit të ujërave. Pavarësisht sulmit, ai tha se mbetet i angazhuar për unitetin e palestinezëve dhe do të vazhdojë të shkelë në Gaza. Pas kësaj ceremonie, autokolona e tij u largua nga territori i Rripit të Gazës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel