Tre vitet e fundit Nazim Sula, 75 vjeç, i ka kaluar sallave të gjykatës së Lushnjes. Ai nuk e di dhe nuk do ta dijë çfarë është reforma në drejtësi, por ajo për të cilën është i sigurt që e do është prona.

“Jam në moshën për të luajtur domino jo për të luajtur dyerve të gjykatës, por çfarë nuk i bije njeriut”, shprehet Nazim Sula.

Por gjykata e Lushnjes, si të gjitha gjykatat e vogla ndodhet në krizë për gjyqtarë. Aty janë vetëm 4 gjyqtarë, të cilët janë të pamjaftueshëm për të formuar trupat gjyqësore.

“Transformimi i trupave gjyqësorë ndikon. KLD është përpjekur t’i dërgojë gjyqtarët në kohë, por sërish numri i çështjeve në Gjykatën e Lushnjes është i madh”, shprehet Eugen Sylari kancelar i gjykatës.

Sallat kanë mbetur të boshatisura dhe gjyqet realizohen vetëm kur trupat përbëhen nga një gjyqtar i vetëm. Për proceset e tjera pritja ka një emër, gjyqtar i deleguar.

Situata është akoma më e rënduar në Gjykatën e Kavajës, aty kanë mbetur vetëm dy gjyqtarë.

“Gjykata e Kavajës është jashtë funksionit, jemi dy gjyqtarë, njëri konsumohet për masat e sigurisë dhe tjetri për hetimin paraprak, nuk ka gjyqtarë për themelin”, thotë Luan Lushaj gjyqtar në Kavajë.

“Nga viti 2017 deri tani që flasim, kemi të mbartura 550 dosje”, shprehet Luan Lushaj, gjyqtar.

“Zvarritjet vijnë për shkak të mungesës së personelit, KLD duhet të delegonte gjyqtarë për një vit dhe jo për çdo çështje”, thotë Luan Lushaj, gjyqtar.

Kjo situatë vazhdon e tillë në Gjykatën e Kavajës prej 4 vitesh. Dy gjyqtarët e mbetur i luten Këshillit të Lartë të Drejtësisë të ndërhyjë dhe ta zhbllokojë gjendjen. Të paktën ata kanë zë, ndërsa qytetarët duhet të presin akoma, për pak drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA