Shkollat fillore, ato të mesme dhe universitetet publike në Kosovë nisën një grevë njëditore për të ushtruar në këtë mënyrë presion mbi qeverinë, me qëllimin të miratojë ligjin për njohjen e statusit të punonjësve të Arsimit që kanë punuar gjatë viteve ’90, në atë që njihej si sistem paralel i Arsimit në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj tha se, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen deri më 13 prill, atëherë greva do të rifillojë me afat të pacaktuar.

“I kemi dhënë mjaft kohë qeverisë, siç e dini, nga 12 marsi e deri më 13 prill që të reagojë për të pasur ligjin për vitet ’90, për të pasur ligjin për paga ashtu siç e meritojmë, që kontrata të implementohet pa gjyqe dhe që ligji i punës të shkojë ashtu siç kemi kërkuar ne, për pjesën që i takon arsimit”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini u bëri thirrje nga ana e tij institucioneve, që të realizojnë të drejtat e punonjësve, të cilët në vitet ’90 punuan në arsim pa u paguar.

“Ne kemi kërkuar minimalen e asaj që na takon. Prandaj do të kisha apeluar te Ministria e Financave të fillojë të hulumtojë dhe të gjejë buxhetin për realizimin e kërkesave që i kemi drejtuar ne”, tha Avni Ajdini.

Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Financave ka sqaruar se i mbështet kërkesat e mësimdhënësve, por sipas saj, ata duhet të presin dhe të respektojnë procedurat ligjore, ashtu siç përcaktohet në ligjin për buxhetin e vitit 2018.

Top Channel