Ndërpritet sfida PAOK-AEK, presidenti me pistoletë në fushë

11/03/2018 21:44

Qyteti i Selanikut në Greqi bëhet sërish protagonist, teksa për të dytën herë brenda pak ditësh nuk arrin të përfundojë një ndeshje futbolli.

Nën një atmosferë fantastike të krijuar nga tifozët e PAOK-ut, para dhe gjatë ndeshjes me AEK-un, rivalin direkt për titull, takimi u ndërpre pikërisht në minutën e 90’, kur kishte mbetur për t’u diskutuar vetëm shtesa.

Ka mjaftuar një gol i vendasve në minutën e 90’, që fillimisht u anulua dhe më pas u akordua nga arbitri, që situata të agravohej dhe u bë e pamundur që të vijonte takimi. Për këtë arsye të dy skuadrat u tërhoqën në dhomat e zhveshjes, teksa pavarësisht tentativave për të rifilluar, skuadra e AEK-ut refuzoi të dalë në fushë.

Raportohet se presidenti i PAOK-ut ka qarkulluar me pistoletë në brez, në dhomat e zhveshjes, çka ka tronditur futbollistët e AEK-ut, që kanë qëndruar të mbyllur për disa orë në dhomat e zhveshjes.

Ministri grek i Sporteve ka dalë në një konferencë për shtyp shumë i alarmuar dhe ka thënë se vendi ka bërë shumë hapa mbrapa me këtë situatë dhe se do të komunikojë me UEFA-n, për të ndërprerë kampionatin.

PAOK-u dhe AEK-u rivalizojnë për titullin kampion, teksa kryeqytetasit kanë 55 pikë, një më tepër se skuadra nga Selaniku, por këta të fundit kanë luajtur një takim më pak.

PAOK-u ka për të rikuperuar pikërisht takimin me Olympiacosin, që u ndërpre pa filluar ende, për shkak të goditjes me sende të forta, të trajnerit të skuadrës nga Pireu.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA