Valencia “shuan” shpresat e Sevillas për zonën “Champions”

10/03/2018 18:40

Një humbje në shtëpi, që mund ta lërë Sevillan përfundimisht jashtë Championsit të vitit të ardhshëm. Ekipi i drejtuar nga Montella, ish-trajner i Milanit, nuk ka mundur t’i bëjë ballë forcës së Valencias, që shënoi dy herë në “Sanchez Pizjuan” me të njëjtin autor.

Në pjesën e parë Rodrigo shënoi një gol të bukur, pasi mori një asist nga Kondogbia prej mesfushës, dhe i vetëm nga krahu i djathtë arriti të mposhtë portierin vendas. Goli i dytë u shënua në 45-minutëshin e dytë, një fotokopje e të parit, që pa protagonistë sërish dyshen Kondogbia-Rodrigo.

Sulmuesi i krahut, që është grumbulluar nga përfaqësuesja spanjolle edhe ndaj Shqipërisë në kualifikueset e shkuara, përfitoi sërish nga një asist, por këtë herë qendror, e sërish përballë portierit kundërshtar e pati të lehtë të shënonte të dytin personal.

Tashmë e gjithë vëmendja e Sevillas do të fokusohet te ndeshja e kthimit me Manchester United, në “Old Trafford”, për të parë nëse do të vijojë më tej drejt çerekfinaleve apo do ta mbyllë me kaq aventurën europiane.

Top Channel