Manchester United ka triumfuar në “Old Trafford” në supersfidën e kësaj të shtune të Premier League, mes “djajve të kuq” dhe Liverpoolit, duke i mposhtur “të kuqtë” me rezultatin 2-1, edhe pse të tri golat e takimit u shënuan nga lojtarët vendas.

Ndeshja u zhbllokua shpejt që në pjesën e parë, ku në harkun e 10 minutave, Rashford shënoi dy gola për “djajtë e kuq”, duke tentuar kështu shkëputjen ndaj rivalëve më të vjetër të Premier League.

Megjithëse tentuan të tregonin se nuk do të dorëzoheshin pas disavantazhit të dyfishtë, Liverpool detyroi futbollistët vendas të shënonin në portën e tyre, konkretisht mbrojtësin Eric Bailly pas më shumë se një orë loje, por pa mundur të rrëmbenin më shumë nga kjo sfidë.

Tashmë United shkëputet me 5 pikë diferencë ndaj “The Reds”-ave, në vendin e dytë, shumë larg rivalëve të qytetit, Manchester City, që duket se janë drejt shpalljes kampion të Anglisë për këtë sezon. Ndërsa Liverpool rrezikon tani të parakalohet në renditje nga londinezët e Tottenhamit, nëse këta të fundit fitojnë përballë Bournemouth, të dielën.

Top Channel