Partizani, një pikë larg zonës së Europës. Skënderbeu fundos edhe më Lushnjen

10/03/2018 18:54

Partizani ka bërë autokritikë dhe me Klevis Dalipin në krye të pankinës, pas shkarkimit të Sulejman Starovës, arrin të mposhtë pastër 3-0 një rival të drejtpërdrejtë në betejën për një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Rezultati i takimit të luajtur në “Selman Stërmasi” pasditen e kësaj të shtune u zhbllokua pas gjysmë orë loje, kur shënoi Batha, për të shkuar në dhomat e zhveshjes në pushimin midis dy pjesëve me avantazhin minimal përballë gjirokastritëve të Luftëtarit.

Gjithçka u duk më e lehtë në pjesën e dytë, kur “të kuqtë” arritën të shënonin edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të Prognit dhe më pas sërish me Bathën, këtë herë me 11-metërsh.

Partizani ngjitet në kuotën e 35 pikëve, një më pak sesa Laçi e Flamurtari që ndajnë vendet 3-4 me pikë të barabarta. Ndërsa Luftëtari mbetet një pikë pas kryeqytetasve, në vendin e 6.

Sfida tjetër, ajo me më pak histori, ishte Skënderbeu-Lushnja, një takim që u mbyll ashtu siç pritej me fitoren e korçarëve 3-1, me “ujqërit e dëborës” që hedhin një hap tjetër drejt titullit kampion, e lushnjarët që “zbresin” njërën këmbë në kategorinë inferiore.

Për ekipin korçar shënuan Sowe dhe Dita në pjesën e parë dhe James në të dytën, ndërkohë që avantazhi u shkurtua momentalisht në fundin e 45-minutëshit të parë kur lushnjarët shënuan me anë të Sefës.

Top Channel