Pas mbylljes së portave të hidrocentraleve ka nisur mëngjesin e kësaj të shtune tërheqja e ujit nga tokat e përmbytura të Nënshkodrës.
Në zonën më problematike, atë të Obotit, raportohet se niveli i ujit ka rënë deri në 30 cm dhe sipas specialistëve të Emergjencave Civile, nëse tërheqja e ujit vazhdon me këto ritme, pas pak orëve edhe rruga e Obotit mund të bëhet e kalueshme.
Një pjesë e ulët e zonës së Nënshkodrës e sidomos zona e Obotit, prej tre ditësh u përfshi nga përmbytje tokash bujqësore në një siperfaqe deri në 2200 hektarë, por për fat, nga kjo situatë nuk ka pasur asnjë banesë të përmbytur.
Në Qarkun e Shkodrës qindra hektarë tokë bujqësore u përmbytën sidomos në fshatin Obot, Oblikë dhe Murriqan, ndërsa prurjet e liqenit dhe lumenjve Drin e Bunë arritën kuotën kritike të 9 metrave. Për situatën e rënduar të ditëve të fundit, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi kërkoi shpalljen e gjendjes së emergjencës, por hasi në rezistencën e prefektit të qarkut dhe kreut të Emergjencave Civile.
Top Channel