Të mërkurën në stadiumin “Wembley”, Juventus ia doli që të fitojë kualifikimin në raundin tjetër, pavarësisht vështirësive ndaj një rivali të fortë si Tottenham, me një përmbysje që i dhuroi çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Por, larg entuziazmit dhe me laps e letër në dorë, ekspertët financiarë të futbollit kanë nisur të bëjnë edhe llogaritë. Suksesi në Londër kundër Spurs-ave që kishin kaluar të parët në avantazh, mes bonuseve të UEFA-s, marketingut dhe shumë sponsorizimeve, ka shtuar 12 milionë euro të tjera në arkat e bardhezinjve. Këto numra do të shtohen me miliona të tjerë në rast se Roma do të braktisë Europën e eliminuar nag Shakhtar.

Që kur ka nisur fushatën për turneun elitar kontinental, “Zonja e Vjetër” mund të llogarisë fitime 94.6 milionë euro. Shpërblimet e shtuara të UEFA-s për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve këtë sezon llogariten edhe në bazë të ndeshjeve të zhvilluara të Juves, krahasuar me ekipet e tjera italiane. Deri më tani, bardhezinjtë kanë fituar më shumë nga përballja me Barcelonën dhe pas katalanasve, vjen Tottenham.

Sipas llogarive të ekspertëve, ndeshja e radhës në çerekfinale do t’i sjellë Juventusit të paktën 3.5 milionë euro të tjera e nëse Juve kualifikohet, këtyre i shtohet edhe bonusi prej 7.5 milionësh i UEFA-s për gjysmëfinalet.

Top Channel