“Duam t’i fitojmë të treja kompeticionet në të cilat garojmë”.

Ky është objektivi i Juventusit sipas sulmuesit Gonzalo Higuain. Bardhezinjtë po luftojnë me Napolin për titullin kampion në Serinë A, kanë arritur finalen e Kupës së Italisë dhe kaluan në çerekfinalet e Champions League para dy ditësh.

Argjentinasi deklaron se pikërisht fitorja ndaj Tottenham në Londër mund të shënojë nisjen e rrugëtimit drejt Tripletës.

“Duhet të ecim hap pas hapi. Në çerekfinalet e Champions do të jenë të vështira të gjitha skuadrat. Por, edhe ne do të jemi të vështirë për kundërshtarët tanë”, tha Higuain për spanjollen “Marca”.

“Në Londër treguam shpirt, karakter dhe zemër. Nuk dorëzohemi kurrë dhe kjo është arsyeja që jemi në luftë në tre fronte. Ky është Juventusi”, shtoi Higuain.

Top Channel