Flamurtari nën presion, dy humbje radhazi dhe Laçi përballë

09/03/2018 14:19

Flamurtari ishte matematikisht kërcënimi i vetëm i Skënderbeut për titullin kampion, por dy humbjet radhazi kanë bërë që vlonjatët të rrezikojnë tashmë edhe objektivin e tyre për kupat europiane.

Vlonjatët, që kanë zbritur forcë e tretë në hierarkinë e Superiores, këtë të shtunë luajnë në fushën e Laçit me presionin për të marrë një fitore të detyrueshme.

“Është momenti më negativ i skuadrës, por ne duhet të shikojmë përpara sepse jemi në fundin e kampionatit. Të japim maksimumin që të kapim Europën nëpërmjet kampionatit, por edhe nëpërmjet Kupës së Shqipërisë”, shprehet trajneri Shpëtim Duro.

Flamurtari do të jetë gjithsesi më i plotë për transfertën në Laç. Rikthehen nga pezullimi Useini dhe Sidibe, ndërsa do të jenë të gatshëm Bicaj dhe Juffo pas mungesave për shkak dëmtimi. Duro ka theksuar se, sa i përket lojtarëve të tjerë të dëmtuar si Touncara, Muarem dhe Nurkoviç, pret që ata të jenë gati për pak javë.

“Pas dy fazave të para, kur skuadra ishte stabile me formacionin, pa dëmtime dhe pa kartona, u goditëm në shumë drejtime. Në dy ndeshje kemi pasur mungesa të konsiderueshme”, shpjegoi Duro.

Flamurtari është i treti në renditjen e Kategorisë Superiore me 36 pikë. Një humbje eventuale në Laç do t’i barazonte bregdetarët me ekipin kurbinas, të dy rivalë për një vend në kupat europiane.

Top Channel