Fitues, por jo i dashur për tifozët

09/03/2018 14:50

Nuk ka rëndësi nëse ai do të arrijë që të fitojë qoftë edhe 3 trofe në një sezon të vetëm me Juventusin: Kupë Italie, Ligë Kampionesh dhe titullin e Serisë A.

Një pjesë e mirë e tifozëve bardhezinj nuk do ta pëlqejnë asnjëherë Masimiliano Allegrin, trajnerin që ka ditur të përkthejë gjithmonë në vlerë në fushë një skuadër që në harkun e 3 viteve është ndryshuar shpesh, e jo përherë është përforcuar.

Populli juventin nuk do të ndalë asnjëherë së kritikuari atë që tifozët e cilësojnë pengesën e bardhezinjve drejt një loje të bukur. Por, pavarësisht kësaj, Massimiliano Allegri shkon thuajse çdo herë në fund të kompeticionit.

Numrat e skuadrës torineze nën drejtimin e trajnerit aktual janë vërtet impresionues. 3 tituj kampion radhazi, 3 Kupa Italie radhazi, 2 finale Champions, madje një sasi gati e sikletshme fitoresh në Serinë A. Massimiliano Allegri diti të menaxhojë si duhet e të përmirësojë ekipin pasi e mori nga duart e Antonio Contes. Në disa zgjedhje në ndeshje e sipër, Allegri ka dhënë përshtypjen e një gjeniu. Mjafton të mendohet shpikja e rolit të Mandzukiç, që i solli titullin dhe finalen e Champions. Jo më pak e zgjuar është dhe linja me 3 lojtarë në vijë të drejtë pas krahëve të sulmuesit.

Allegri humbi në 3 vjet lojtarë si Pirlo, Vidal, Pogba, Tevez, Morata, Dani Alves, Bonucci dhe Evra. Asnjë trajner tjetër nuk do të fitonte kaq shumë pasi të privohej nga lojtarë të tillë. Por, sërish kjo nuk i ka sjellë, e me gjasë nuk do t’i sjellë, përkrahjen e tifozëve të Juventusit.

Top Channel