Thirrja e një nëne në 8 Mars: “Shtëpia po më zë brenda”

08/03/2018 21:33

8 Marsi nuk është një urim për të gjitha gratë. Realiteti shqiptar tregon se shumë prej tyre vuajnë në kushte të vështira ekonomike, sakrifikojnë jetën për familjen, por nuk gjejnë zgjidhje në institucionet e vendit.

Shumë nëna kryefamiljare janë dorëzuar duke jetuar në varfëri ekstreme. Ky është rasti i Fiqirete Çapit e cila është një nënë që kërkon ndihmë, pasi jeton në kushte të vështira ekonomike. Ajo i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” në pamundësi për të zgjidhur problemin e saj me pronën. Fiqiretja jeton në varfëri ekstreme, shtëpia e saj rrezikon të shembet.

Kjo zonjë banon në fshatin Mashkull, Pezë e vogël. Infrastruktura e keqe e rrugës që të çon në shtëpinë e saj e ka izoluar totalisht këtë nënë e cila jeton vetëm me djalin e saj të papunë. Shtëpia e Fiqiretes është drejt shkatërrimit, një nga dhomat rrezikon të shembet, tavani duket qartë që ka nisur të bjerë.

Fiqiretja tregon se ka frikë të shtrihet pasi rrezikon të vdesë. Të vetmet orendi në shtëpinë e saj janë një divan i vjetër i kohës së komunizmit dhe një frigorifer i cili është i boshatisur , aty ka vetëm një tenxhere me qumësht. Fiqiretja tregon se shpesh herë e ndihmojnë fqinjët ose motra e saj .

“Unë jetoj në kushte të vështira. Jam një nënë pa mbështetje . Djali nuk punon, nuk kam para as në shkollë ta çoj. Ja shiheni tavani gati për të rënë , kam frikë të fle natën se më zë brenda . Veç këtyre halleve i jam drejtuar emisionit tuaj, pasi në hipotekë nuk ma njohin pronën që e kam trashëguar nga bashkëshorti im i ndjerë . Vetëm këtë kam dhe asgjë tjetër , nuk kërkoj lëmoshë, por të paktën të më japin atë që e kam trashëguar” thotë ajo me lot në sy.

“Fiks Fare” ju drejtua Hipotekës së Tiranës e cila nëpërmjet një shkrese zyrtare na njoftoi se Bashkia e Tiranës nuk e ka përcjellë dokumentacionin e plotë të qytetares për regjistrim, pasi qytetaria nuk e ka kërkuar në bashki. Megjithatë hipoteka thotë se pasi të paraqiten aktet për regjistrim, zyra vendore e pasurive të paluajtshme do të vijojë procedurën për regjistrimin e pasurisë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA