Në vitin 1965 shoqëronte në shkollë të bijën, ndërsa të birin e çonte në çerdhe prej 2 vitesh. Sot, pas 53 vitesh nga hera e parë kur u bë nënë, nëna Lila çon në çerdhe stërnipin e saj.
Si çdo vit tjetër, edhe në këtë 8 Mars, dikush e pret te dera e çerdhes për t’i uruar Festën e Gruas.
Erti është nipi i saj, djali i vajzës, të cilin e mori në shtëpinë e saj kur ishte 2 vjeç, e rriti, e shkolloi derisa përfundoi shkollën e mesme.
“E mora Ertin, e bëmë 7 vjeç dhe e çuam në shkollën “11 janari”. Deri në gjimnaz e kam rritur unë. Pastaj, i doli shkolla dhe iku te shtëpia e tij”, tregon nënë Lila.
“Unë kokën e kisha gjithmonë nga gjyshja. Kur u martova, erdha prapë te gjyshja. Ajo është kaluar Mbretëreshës”, shprehet Erti.
Por, dashuria për nipin që vetë e rriti ishte aq e madhe, sa ishte e thënë që i vogli i saj, sot baba fëmije, të rikthehej te gjyshja sërish.
“Pasi burri më ndërroi jetë, vendosa ta marrja Ertin në shtëpinë time. Erti ishte i gatshëm. Mund të thonë që i vura telash vetes, por nuk i kam vënë telash vetes sepse ajo është vajzë e zgjuar”, thekson nënë Lila.
Fisnikërinë dhe zemërmadhësinë e saj nuk e zbeh mosha. Nënë Lila është grua e zgjuar. Prej 3 vitesh bashkëjeton edhe me nusen e nipit, Ertit të saj.
“Unë, nga përvoja ime, duhet të jem më tolerante”, thotë stërgjyshja.
Sepse është e thënë që disa histori të zhvillohen ashtu si fillojnë, megjithëse kjo superstërgjyshe e sakrificave të mëdha, që nuk njeh as moshë, mund të rrisë nesër edhe stërmbesën e saj.
“Jeta është e shkurtër dhe njeriu, sidomos në këtë moshë, dashka që të mbahet mend vetëm për mirë. Pastaj, tek e fundit, kujt i shërben? Fëmijës tënd”, mbyll rrëfimin e saj nënë Lila.
Top Channel