Rikthimi i Mario Balotelit në kombëtaren italiane të futbollit, afrohet gjithnjë e më shumë.

Paraqitjet e mira të sulmuesit kontrovers me Nisën në kampionatin francez si dhe reduktimi i episodeve të pakëndshme dhe skandaleve jashtë fushave të lojës, e kanë bindur trajnerin e përkohshëm Di Biagio, që të futë emrin e Supermarios në listën për miqësoret e luksit këtë muaj.

Italia do të luajë ndaj gjigantëve botëror si Argjentina dhe Anglia, e ky mund të jetë një shans i mirë për balotelin që të bindë më skeptikët se ka ende për të dhënë me flamurin tringjyrësh.

Për sulmuesin ka ardhur një njoftim paraprak grumbullimi, akt i nevojshëm për lojtarët që luajnë jashtë Italisë për shkak të përgatitjeve, por sidoqoftë sinjal i mirë për një futbollist që mungon me kombëtaren italiane që nga botërori i Brazilit para 4 vjetësh.

Paraqitja e fundit e Supermarios ishte humbja ndaj Uruguait, që i kushtoi italianëve eliminimin e bujshëm që në fazën e grupeve. I njëjti diskutim edhe për sulmuesin tjetër Graciano Pele.

Ky i fundit mungon që nga ndeshja me Spanjën në eliminatoret e botërorit 2018, kjo për shkak të polemikave me trajnerin Ventura, në momentin e zëvendësimit.

Top Channel