Në Parkun e Liqenit të Tiranës është krijuar “Shtegu i dijes”, një hapësirë me pemë kushtuar mësuesve të kryeqytetit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, së bashku me mësues të dalë në pension dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit, i uruan “Gëzuar 7 Marsin” të gjithë mësuesve.

“Jam shumë i lumtur që sot u urojmë të gjithë mësuesve të Shqipërisë, por sidomos atyre të Tiranës, Gëzuar Festën e 7 Marsit! Më vjen mirë që shumë shkolla të Tiranës na u bashkuan, jo vetëm në oborret e tyre, por edhe këtu në Parkun e Liqenit, ku shumë nxënës po i kushtojnë një pemë mësuesve të tyre; një pemë, e cila do të jetë këtu me dhjetra vite, si një dhuratë afatgjatë dhe shenjë emancipimi e shoqërisë sonë”, u shpreh Veliaj.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla falenderoi kryebashkiakun për modelin e suksesit që ka dhënë në krye të punëve të qytetit dhe për ndërtimin e shkollave të reja. “Jam shumë krenare që kam mundësinë të jem sot në krahë të këtyre mësuesve të talentuar dhe t’u uroj të gjithëve ‘Gëzuar 7 Marsin’. Faleminderit Erion dhe lejomë që në emër të të gjithë skuadrës së arsimit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të të falenderojmë nga zemra për modelin e suksesit në krye të punëve të qytetit, për sa shumë ke bërë për shkollën, mësuesit, nxënësit, për të ardhmen”, tha ministrja Nikolla.

Ndërkaq, nesër është Festa e 8 Marsit dhe Bashkia e Tiranës ka një dhuratë për të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit: transporti publik do të jetë falas për to. “Nesër zonjat dhe zonjushat e kryeqytetit do ta kenë biletën falas nëse përdorin transportin publik. E di që kemi ende shumë rrugë për të bërë me transportin publik, por kjo është një mënyrë për të kujtuar të gjitha zonjat dhe zonjushat që vetëm e zbukurojnë këtë qytet dhe mbajnë familjet tona në këmbë”, u shpreh Veliaj.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA