I riu Ariston Tyrikardi, 20 vjeç, edhe pse ka fituar gjyqin, sorollatet prej 5 muajsh dhe nuk ndryshon dot të dhënat në Gjendjen Civile.
Një shtetas shqiptar është birësuar nga një shtetas grek në Greqi, e pasi ka zhvilluar gjyqin aty ka bërë gjyq edhe në Shqipëri.
Vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkodrës e ka njohur birësimin si të ligjshëm dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Por Gjendja Civile në Laç nuk do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, pasi e sheh vendimin e gjykatës si të parregullt, jo në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Aristoni, bashkë me të ëmën e panë se nuk po çanin dot burokracitë dhe iu drejtuan “Fiks Fare”.
Ata tregojnë se birësimin e ka njohur Gjykata e Apelit të Shkodrës në vitin 2017 dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka njohur gjithashtu vendimin.
Kjo është shoqëruar me vulë apostile, njëkohësisht edhe Konsullata greke e ka njohur.
“Këtu në Gjendjen Civile nuk u njihka vendimi? Është absurditet i madh”, shprehet e çuditur e ëma e Aristonit.
Së bashku me gazetarët e “Fiksit”, ata i drejtohen Gjendjes Civile të Laçit e kërkojnë nga kjo e fundit për të dhjetën herë regjistrimin që i takon me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Shkodrës.
Punonjësi i Gjendjes Civile nuk e pranon vendimin e gjykatës dhe i japin një shkresë, të cilën e kanë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ku thuhet se vendimi i gjykatës nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar, e sipas saj duhet të shfrytëzohen mundësitë që zyra e Gjendjes Civile e Laçit ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë.
Në këto kushte, gazetarët i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, të cilët interpretonin vendimin e gjykatës, por menjëherë pas interesimit të “Fiks Fare” ajo del me një shkresë, ku i sugjeron Gjendjes Civile të Laçit të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës.
E në fund Aristoni ndryshoi të dhënat e tij.
Top Channel