Team Sky e Wiggins nën akuzë për doping në 2012-ën

05/03/2018 14:46

Skuadra britanike çiklistike Team Sky dhe Sir Bradley Wiggins janë nën akuzën e përdorimit të substancave të ndaluara gjatë Turit të Francës së vitit 2012, që u fitua pikërisht nga Wiggins.

Kjo është ajo që theksohet në raportin e Departamentit të Kulturës, Medias, Komunikacionit dhe Sportit në Britaninë e Madhe dhe që u publikua nga e përditshmja britanike “The Guardian”.

Sipas kësaj të përditshmeje, çiklistët e Team Sky thyen rregullat anti-doping përpara edicionit të vitit 2012 të Turit të Francës falë recetave mjekësore për të konsumuar kortikostreroidë që do të rriste rendimentin e tyre gjatë garës. Për më tepër në artikullin e “The Guardian” vihet në dukje një episod që përfshin Wiggins, i cili në vitin 2011 në Dauphine mori një paketë e cila dyshohej që të kishte brenda Triamcinolon e kortikosteroide në vend të fluimicilës. Pas publikimit të këtij raporti, Wiggins reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter.

“Më duket diçka e trishtuar ngritja e këtyre akuzave të pabaza mbi personat dhe që flitet për gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Refuzoj në mënyrë kategorike këtë teze sipas së cilës kam marrë substanca të ndaluara jo për qëllime kuruese”, shkruan Wiggins në postimin e tij.

Po kështu ndaj publikimit të këtij raporti reagoi edhe ekipi i Sky ku pranohet se skuadra në disa episode nuk i respektoi rregullat. Në të njëjtën, skuadra britanike çiklistike kërkoi ndjesë për gabimet e kryera prej saj, por shtoi se synimi për përdorimin e këtyre substancave nuk ka qenë asnjëherë për rritjen e rendimentit të çiklistëve.

Top Channel