Në Korçë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive vazhdon të jetë një makth për qytetarët. Për të mbaruar punë në sportelet e këtij institucioni qytetarët duhet të zënë radhë prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa sorollatjet zgjasin me muaj të tërë e në disa raste edhe me vite.
Qytetarët tregojnë se përveçse u duhet të presin me orë të tëra në radhë, shpesh ata nuk arrijnë të mbarojnë punë ndaj vazhdojnë të mbeten peng i një situate pa zgjidhje.
Për shumë prej qytetarëve hallakatjet nuk janë vetëm humbje kohe, por edhe kosto të shumta financiare. Ata tregojnë se shpesh presin me orë të tëra para sporteleve dhe përsëri u duhet të shkojnë nga një institucion në tjetrin ose të rikthehen një ditë tjetër.
“Vijmë të hënën, na thonë hajde të enjten. Vijmë të enjten takojmë drejtorin, na thotë punonjësja është në spital. Vij sot, më thonë të iki se nuk është bërë akoma”, shprehet një qytetar.
“Kam një vit që vij këtu, sot kam ardhur që në orën 5”, shprehet një tjetër qytetar.
Ky ngërç është krijuar prej vitesh ndaj situata kaotike është kthyer në një stres të vazhdueshëm për qytetarët e çdo grupmoshe.
Top Channel