Athinë, sekuestrohen 4 kg kokainë. Tre shqiptarë e një grek, në pranga

05/03/2018 20:01

Një sasi prej afro 4 kg kokainë u sekuestrua prej Departamentit të Antidrogës së Athinës, pasditen e kësaj të hëne.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Atikës, operacioni për shkatërrimin e organizatës u zhvillua njëkohësisht në disa zona të kryeqytetit helen.

Prej kontrolleve të kryera në banesat e 3 shtetasve shqiptarë, të grupmoshës nga 24 në 36 vjeç, dhe në banesën e një shtetasi grek 61-vjeçar në lagjet “Ilion”, “Kipseli”, “Tavros” dhe “Petrupoli”, u gjetën dhe sekuestruan 3.9 kg kokainë e pastër, 144 mijë euro “cash”, dy peshore elektronike, 10 telefona celularë, 4 autovetura, 64 gramë kanabis, një pistoletë dhe disa fishekë.

Policia thotë se lënda narkotike shpërndahej nëpër ishujt e Egjeut gjatë sezonit veror, kur edhe kërkesa për kokainë shtohet ndjeshëm në lokalet dhe “pub”-et e zonave turistike.

Shumat e përfituara përdoreshin për blerje banesash në Greqi dhe Shqipëri. Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie, mëngjesin e së martës.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA