Një 10-vjeçar humbi jetën në Tepelenë. Fabricio Iliazi kishte disa ditë që kishte një gjendje gripiale, ndërsa prej vitesh vuante nga migrena.
Babai i tij, Sokoli thotë se për shkak të varfërisë shpeshherë nuk arrinin t’i blinin ilaçet e detyrueshme për gjendjen e tij.
“Djalin e kisha me migrenë. E kam dërguar në Tiranë, në Gjirokastër, i kemi bërë skanime, por nuk tregoi gjë. I merrja ilaçet një herë në dy muaj, sa kisha mundësi. E zuri temperatura, por më shumë e sulmonte migrena”, thotë ai.
Në spital i mituri mbërriti pa shenja jete, tregon mjekja që konstatoi vdekjen e fëmijës. Ajo nuk mundi të konfirmojë shkaqet dhe thotë se ato i përcakton autopsia, por që familjarët nuk kanë ngritur pretendime për kryerjen e saj.
“Në orën 4 pa 20 në mëngjes, familjarët janë paraqitur me fëmijën të vdekur dhe pa shenja jete. Fëmija vuante nga sëmundje kronike, sipas familjarëve. Kishte kaluar meningit më përpara. Është folur për fruth, nuk ishte gjendje fruthi, pastaj diagnosat përfundimtare i jep mjekësia ligjore”, thotë mjekja, Ina Lulo.
Një ditë më parë, Fabricio ishte paraqitur në spital me temperaturë dhe simptoma të gripit. Ai u trajtua me antipiretikë dhe prindërit e kthyen në shtëpi. Fëmija i kishte mbijetuar pak vite më parë meningitit, ndërsa kurohej për sëmundjen e migrenës kronike.
Top Channel